NJOFTIME PËR SHTYP

Banka Botërore Ndihmon në Përmirësimin e Shërbimeve të Ujësjellës-Kanalizimeve për 400,000 Qytetarë në Shqipëri

20 dhjetor 2013


UASHINGTON, 20 dhjetor 2013 – Bordi i Drejtorëve Ekzekutivë të Grupit të Bankës Botërore miratoi sot një hua të re për të ndihmuar Shqipërinë që të përmirësojë cilësinë e shërbimeve të ujësjellës-kanalizimeve në qytetin bregdetar të Durrësit si dhe performancën financiare të ndërmarrjes së ujësjellësit të këtij qyteti. Huaja e IBRD-së prej 85.3 milionë dollarësh amerikanë për Projektin e Investimeve për Sektorin e Ujit në Shqipëri ka për qëllim të përmirësojë rrjetin ekzistues të ujësjellës-kanalizimeve në rajonin e Durrësit, qyteti i dytë më të madh i vendit dhe njëri prej destinacioneve kryesore turistike të vendit, si dhe porti kryesor i Shqipërisë.

Objektivat e projektit do të arrihen nëpërmjet (i) investimeve parësore në rrjetin e ujësjellësit dhe ndërtimit të tubacioneve për transportin e ujit për të përballuar pamjaftueshmërinë e tij gjatë pikut të sezonit turistik; investimeve dytësore që i lidhin fshatrat me sistemin e ujësjellësit të qytetit; dhe investimeve parësore për të ulur humbjet në rrjetin e shpërndarjes së ujit; (ii) investimeve parësore në rrjetin e kanalizimeve dhe rritjes së kapacitetit të transferimit nga zona bregdetare turistike në impiantin ndërtuar rishtazi të trajtimit të ujërave të zeza në Durrës, dhe (iii) mbështetjes së mëtejshme për ndërmarrjen e ujësjellësit për të përmirësuar cilësinë e shërbimeve të ofruara prej saj dhe situatën e saj financiare.

Qeveria i ka kushtuar përparësi sektorit të ujit dhe e ka përcaktuar zonën e Durrësit si përparësi në programin e saj.  “Për rrjedhojë, projekti ofron mundësi ideale për të çuar përpara axhendën e reformave të politikave dhe atyre institucionale, të shprehur edhe në Programin e Qeverisë dhe Strategjinë sektoriale, të shoqëruara këto me financimin e investimeve parësore,” tha  Tahseen Sayed, Menaxherja e Zyrës së Bankës Botërore në Shqipëri.

Projekti do të bazohet në punën e bërë nga programet e mëparshme të investimeve në sektorin e ujit në Qarkun e Durrësit dhe do të rrisë nivelin e përfshirjes së Bankës. “Përfituesit kryesorë të projektit do të jenë rreth 400,000 qytetarë në sezonin e pikut (330,000 në pjesën tjetër të vitit), të cilët do të përfitojnë nga përmirësimet e shërbimeve në rajonin e Durrësit. Kjo përbën një përmirësim rrënjësor përsa i përket furnizimit me ujë dhe trajtimit të ujërave të zeza, mbulim më të gjerë të zonave urbane dhe rurale, si dhe mbrojtje më të mirë mjedisore të burimeve ujore në bregdet”, tha David Michaud, Specialist i Lartë i Bankës Botërore për Sektorin e Ujit dhe Drejtues i Ekipit të Projektit.

Më parë, Banka ka financuar tri projekte investimesh në sektorin e ujit. Këto projekte kanë financuar rehabilitimin e rrjetit të furnizimit me ujë, kanë forcuar kapacitetet si dhe kanë zbatuar reformat institucionale. Mësimet e nxjerra prej zbatimit të këtyre projekteve janë reflektuar edhe në projektin aktual. Këto mësime përfshijnë: fonde dhe investime të mjaftueshme krahasuar me nevojat, lidhja e ndryshimeve institucionale me reformat më të gjera sektoriale, angazhimi i duhur për reformat, shmangia e politizimit gjatë procesit të vendosjes së tarifave, përfshirja e analizës ekonomike politike të sektorit si dhe konsultimet me aktorët kryesorë.

Shqipëria u bë anëtare e Bankës Botërore në vitin 1991. Që prej kësaj kohe janë mbështetur 73 projekte me një vlerë të përgjithshme prej 1.2 miliardë dollarësh nga IDA-ja dhe IBRD-ja, si dhe 49 projekte me vlerë të përgjithshme prej 225 milionë dollarësh nga IFC-ja. Aktualisht në Shqipëri po zbatohen pesë projekte në sektorin social, burimet natyrore, sektorin e ujit, energjisë, menaxhimin e sektorit publik, të cilët po e ndihmojnë Shqipërinë të arrijë zhvillim të qëndrueshëm ekonomik dhe social dhe t’i hapin rrugën integrimit evropian.

 

Kontaktet e mediave
Në Uashington
Elena Karaban
tel : (202) 473-9277
ekaraban@worldbank.org
Në Tiranë
Ana Gjokutaj
tel : (355-42) 280-655
agjokutaj@worldbank.org
Për pyetje lidhur me transmetimin
Natalia Cieslik
tel : (202) 458-9369
ncieslik@worldbank.org


DEKLARATA PËR SHTYP NR:
2014/275/ECA

Api
Api

Welcome