OPINION

Duhet vepruar përpara se të fillojë stuhia

20 gusht 2013


Kseniya Lvovsky



Këtë verë, shëtitja me anije nga diga e Komanit në atë të Fierzës ishte po aq e mrekullueshme sa ka qenë përherë. Anija traget me të cilën kisha udhëtuar dy vjet më parë nuk punonte më – banorët vendas kanë filluar të përdorin rrjetin e përmirësuar rrugor – por mund të marrësh edhe anije turistike. Nga motobarka e shpejtë që transportonte një ekip ekspertësh të Bankës Botërore dhe të KESH-it shihja pasagjerët e asaj anijeje turistike që shijonin pamjet fantastike të peizazhit malor të mrekullueshëm përgjatë itinerarit blu me ujë të bollshëm. Ne ndodheshim aty për të parë punën e bërë dhe nevojat e mëtejshme për rehabilitimin e digave përgjatë kaskadës së Drinit, një nga programet e mëdha të investimeve të mbështetur nga Banka Botërore në partneritet me disa financues të tjerë.

Udhëtimi përgjatë kaskadës së Drinit t’i bën plotësisht të qarta vlerat e mrekullueshme dhe rreziqet e mëdha të hidrocentraleve kryesore të vendit. Sasia e madhe e ujit të grumbulluar në rezervuar është garancia më e mirë e furnizimit të sigurt dhe të përballueshëm me elektricitet si dhe e mundësisë që ekziston për të rritur të ardhurat nga eksporti në një vit me rreshje. Edhe potenciali për turizëm dhe zbavitje është po ashtu i madh. Megjithatë, rreziqet janë të frikshme. Në një vit të lagësht, veçanërisht gjatë shirave të shumta, përballimi i derdhjes së ujit nga diga pa shkaktuar përmbytje përbën sfidë.  Infrastruktura që menaxhon derdhjen e ujërave të tepërta ka nevojë urgjente për përmirësime, ndërsa erozioni që duket qartë se po përparon në pjesën e poshtme të digës së Komanit është një ilustrim i qartë i tërbimit të ujit të pakontrolluar. Në një vit të thatë, siç ishte 2012, paaftësia për të menaxhuar shumëllojshmërinë e burimeve ujore në mënyrë optimale, shoqeruar nga problemet e sektorit të shpërndarjes bënë që sistemi energjetik, ku mbizotëron energjia që vjen nga hidrocentralet, të arrinte në buzë të kolapsit financiar dhe të kishte ndërprerje të shpeshta të furnizimit me rrymë. Ndërhyrja e kushtueshme financiare  e shtetit dhe moti i përshtatshëm në vitin 2013 shmangën më të keqen. Një qasje më e mirë do të kishte qënë fillimi i eksportit të energjisë më herët dhe kursimi i ujit për të prodhuar elektricitet në vend gjatë muajve kur çmimi rajonal i tij ka tendencë të jetë më i lartë. Projekti që solli ekipin tonë në kaskadë po ndihmon si në përmirësimin e infrastrukturës ashtu edhe atë të menaxhimit.

Megjithatë, rreziku më i madh vjen nga ajo që duket si një situatë e përsosur në një ditë me diell si ajo e udhëtimit tonë, kur liqeni është i mbushur plot me ujë dhe asnjë shenjë “stuhie” në horizont. Ky është rreziku i krijimit të përshtypjes së rreme se kriza ka kaluar dhe se nuk ka ndonjë urgjencë për ndërmarrjen e veprimeve, disa prej të cilave mund të jenë edhe të dhimbshme dhe jopopullore. Veprimet që duhen ndërmarrë e tejkalojnë shumë kaskadën e Drinit. I gjithë sektori është në një situatë të brishtë – i pambrojtur nga moti dhe kërkesat e investitorëve privatë, jo në gjendje të sigurojë burime të mjaftueshme të ardhurash, jo në gjendje të plotësojë detyrimet ligjore, ose të bëjë që të tjerët të plotësojnë detyrimet e tyre. Për ta përmirësuar këtë situatë do të duhet angazhimi i madh dhe vizion nga ana e qeverisë që do të fillojë punë në shtator. Por angazhimi i qeverisë nuk do të ishte i mjaftueshëm pa mbështetjen dhe sjelljen e përgjegjshme të aktorëve të tjerë – entitetet shtetërore të energjisë, aktorët privatë të energjisë, bizneset, bashkitë, dhe qytetarët. Të gjithë ata që prodhojnë, shesin, transmetojnë, shpërndajnë apo përdorin elektricitet duhet të kontribuojnë.


Api
Api

Welcome