Lajme

OPINION

Mbështetja e Romëve të Evropës sjell dobi edhe për biznesin

Nga Jim Yong Kim dhe James Wolfensohn

EuropeanVoice.com

2013-07-17

Dhënia e ndihmës për Romët që ata të dalin nga varfëria nuk është vetëm gjëja e drejtë që duhet bërë, por kjo sjell vlera për Evropën edhe në aspektin ekonomik  

Në Ditën e Evropës në muajin maj në zyrën e Grupit të Bankës Botërore në Bukuresht u mblodhën një grup mbresëlënës të rinjsh dhe të rejash. Profesionistë të rinj, të cilët jetojnë në shumë vende të Evropës Qendrore dhe Lindore, kishin kaluar nga auditoret e universitetit, në punë si avokatë, specialistë të IT-së, arkitektë dhe sipërmarrës. 

Ata kishin dy gjëra të përbashkëta. Së pari, ata kishin tejkaluar stigmën dhe sfidat sociale të të rriturit si  një nga rreth 12 milionë Romët e Evropës, dhe së dyti, ata kishin përfituar nga Fondi për Arsimimin e Romëve që ka filluar në vitin 2005 me mbështetjen e Grupit të Bankës Botërore dhe Institutit për Shoqërinë e Hapur.

Këta të rinj, përfitues të bursave, përbëjnë një kontrast të thellë ndaj stereotipeve të zakonshme negative për 'jevgjit'. Përkundrazi, ata përfaqësojnë një vizion të një Evrope që ushqen talentet e të gjithë qytetarëve. Ata janë prova që tregon se kur Romët kanë mundësi të zhvillojnë talentet e tyre, ata mund të arrijnë rezultate të admirueshme.

Ndërsa kryeartikujt e mediave në Evropë përqendrohen në çështjet afatshkurtra ekonomike të Eurozonës, synimi afatgjatë i integrimit të Romëve zien ngadalë në sfond, i harruar në masën më të madhe, por mbetet ende një nga sfidat më të mëdha të Evropës.

Romët janë një nga komunitetet më të varfra, por me rritjen më të shpejtë në Evropë. Tre nga katër prej tyre jetojnë në varfëri, një në tre shkon në shtrat i uritur të paktën një herë në muaj, dhe gati gjysma jetojnë në komunitete të veçuara.

Krijimi i partneritetit me Romët e Evropës në mënyrë që ata të dalin nga varfëria nuk është vetëm gjëja e drejtë për të bërë - kjo përbën ekonominë e mençur të Evropës. Fuqia punëtore në Evropën Qendrore dhe Lindore është duke u pakësuar me shpejtësi, ndërsa popullata Rome është në rritje. Në Bullgari, Romët pritet të përbëjnë 23% të personave të rinj që hyjnë në tregun e punës deri në vitin 2020. Në mënyrë të qartë, një pjesë e madhe e konkurrencës së ardhshme e vendeve në rajon mund të varet nga shpejtësia me të cilën ata integrojnë romët.

Realiteti nuk është inkurajues. Vetëm gjysma e meshkujve Romë dhe një e katërta e femrave Rome në Evropë janë të punësuar.

Evropës i nevojitet një fokus i gjerë evropian për integrimin e romëve. Nëse Romët duhet të marrin pjesë si të barabartë në prosperitetin evropian, ata kanë nevojë për hapësira, trajnim dhe pranim, duke filluar që në moshën parashkollore. Krijimi i mundësive në mënyrë që më shumë fëmijë Romë të ndjekin arsimin parashkollor dhe shkollat ​​fillore integruese mund t'i pajisë ata me aftësitë e nevojshme për t’u integruar plotësisht në tregun e punës. Pasja e më shumë fëmijëve Romë në shkollë dhe universitet, do të krijojë mundësinë që të gjithë të kenë sukses: vendet do të përmirësojnë krahun e tyre të punës, gjë e cila tërheq bizneset, dhe krijon vende pune. Ky është një investim i mençur.

Ekzistojnë shenja shprese për Romët. Në vitin 2005, Banka Botërore u bashkua me Institutin e Shoqërisë së Hapur të George Soros, me Agjencinë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim dhe me qeveritë  e Evropës Qendrore dhe Lindore për inicimin e “Dekadës së Përfshirjes së Romëve”* që synon të theksojë nevojën për të integruar romët. Ndërkohë, politikëbërësit në Evropë e kanë kthyer përfshirjen e Romëve në një prioritet, siç shihet në kuadrin e BE-së, në strategjitë kombëtare të integrimit te Romëve deri në vitin 2020.

Ndërkohë, Grupi i Bankës Botërore është duke bashkëpunuar me Komisionin Evropian dhe shtetet e BE-së në Evropën Qendrore dhe Lindore për të mbështetur Romët. Ne jemi duke punuar edhe me Bullgarinë dhe Rumaninë për arsimimin e Romëve që në fëmijërinë e hershme, po përmirësojmë shkollat lokale në Serbi, po rrisim rezultatet shkollore në Ish Republikën Jugosllave të Maqedonisë, dhe po mbështesim  regjistrimin e tokës në Rumani. 

Megjithatë, për Romët mund të bëhet shumë më tepër. Duhet të tejkalohen shekuj të tërë paragjykimesh nëpërmjet qeverisjeve konsekuente. Së pari, vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore kanë një mundësi historike për të përfituar nga buxheti i ardhshëm shtatë-vjeçar i BE-së për shtetet anëtare më pak të zhvilluara të BE-së për të përmirësuar integrimin e Romëve. Fondet ekzistojnë – ato thjesht duhet të vihen në punë. Së dyti, rritja e profesionistëve të rinj Romë duhet të bashkohet me udhëheqësit më të vjetër të Romëve për të siguruar që ndryshimi të ndodhë.

Ne dëgjuam disa nga këta udhëheqësit e rinj potencialë në muajin maj në Bukuresht. Por ne duhet të mbështesim shumë më tepër Romë të rinj. Kjo nuk është vetëm gjëja e drejtë për të bërë për këtë komunitet të izoluar - kjo përbën gjithashtu ekonominë e mençur për të ardhmen e Evropës.

* Shqipëria është pjesë e Dekadës së Përfshirjes së Romëve